Zgjedhjet 2019

PDK-ja merr të dhënat e qytetarëve që nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit, shumica s’i besojnë

Përveç nga subjektet e tjera politike, Partia Demokratike e Kosovës po kërkon edhe nga qytetarët që të nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit.

Që nga e marta, aktivistë të kësaj partie në disa pika në kryeqytet, kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët me anë të një peticioni, ku kërkohet edhe numri personal, raporton KTV.

Kjo, nga disa qytetarë po shihet si mundësi për keqpërdorim votash në ditën e zgjedhjeve dhe refuzojnë ta nënshkruajnë.

Megjithatë, qytetarë të tjerë që të dielën nënshkruan këtë peticion, thonë se pakti kundër korrupsionit nuk do t’i shërbejë vetëm PDK-së.

PDK-ja ka ndërhyrë në privatësinë e kosovarëve edhe në një tjetër mënyrë, duke u dërguar shumë prej tyre mesazh në telefona celularë, me ftesën për të nënshkruar paktin.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga PDK-ja lidhur me këtë peticion, por nuk ka marrë një përgjigje gjatë ditës.

Në fillim të muajit shtator, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, prezantoi Paktin Kundër Korrupsionit, duke i ftuar të gjitha partitë e tjera ta nënshkruajnë.

Pasi qeshën, të gjitha partitë tjera e refuzuan ftesën, sepse vinte nga Veseli.