Zgjedhjet 2019

BE-ja do të vlerësojë nëse zgjedhjet në Kosovë janë të standardeve ndërkombëtare

Gjithsej 100 vëzhgues nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të jenë pjesë e procesit zgjedhor të 6 tetorit në Kosovë, me qëllim të përcjelljes së votimeve dhe procesit të numërimit pastaj.

Vëzhguesit janë pjesë e misionit të pestë të BE-së, i cili përfshin vëzhgimin neutral dhe të pavarur të zgjedhjeve si dhe vlerësimin e përputhjes së këtyre zgjedhjeve me ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane.

Kryevëzhguesja e këtij procesi, në një konferencë për media tha se rëndësia e misionit është e veçantë.

“Ne si mision nuk jemi të interesuar në rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, nuk kemi asnjë lloj interesi nëse njëri apo tjetri kandidat apo parti politike shpallet fituese. Shpresojmë që prania jonë do të ketë një efekt pozitiv në eliminimin e parregullsive, duke forcuar kështu besimin në procese zgjedhore”, ka thënë Viola von Cramon-Taubadeli – Kryevëzhguese e misionit të BE-së.

Kryevëzhguesja e BE-së tha se në misionin e tyre të vëzhgimit do të përfshihen edhe tetë televizione si dhe tre ueb-faqe që përcjellin zgjedhjet, si dhe do t’u bëhet analizë edhe fushatave në rrjetet sociale.

“Ne duam që të gjitha palët e përfshira të jenë transparente dhe përgjegjëse në këtë proces, pasi kjo mund ta kthejë besimin e qytetarëve në një proces të rregullt zgjedhor”, ka thënë ajo.

Derisa vëzhguesit, pos zgjedhjeve, rëndësi do t’i kushtojnë edhe financimit të partive politike si dhe burimeve të së ardhurave të tyre.

“Jemi duke vëzhguar edhe burimet e të ardhurave prej të gjitha partive, duam të shohim se kush është duke kontribuar për financimin e partive politike, jo vetëm gjatë fushatës por edhe më gjerë. Pra, ky kontribut analizohet në bazë të asaj se a ka shkelje në kontratat publike të prokurimit, apo ndikim të ndonjë biznesi direkt në parti ose anasjelltas’’, Elissavet Karagiannidou – Analiste e financave të fushatave politike.

Misioni i vëzhguesve të BE-së në Kosovë ka ardhur me ftesë të Zyrës së Presidentit të Kosovës.