Zgjedhjet 2019

Haradinaj premton buxhet të veçantë për gratë shtatzëna dhe lehonat

Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, deklaroi sot gjatë një takimi me gratë e komunës së Suharekës, se me programin e ri qeverisës, synon të ketë një trajtim të veçantë për gratë në marrëdhënie pune.

“Gratë e Kosovës janë vet historia e saj dhe thelbi i ekzistencës sonë si shtet. Gjatë këtij mandati kemi punuar në vazhdimësi për të fuqizuar rolin e tyre në shoqëri. Falë masës afirmative për regjistrim të përbashkët të pronës, sot kemi rreth 5 mijë prona në emër të dy bashkëshortëve dhe mbi 91 mijë raste ku gratë kanë të regjistruara pronën në emër të tyre”, ka thënë Haradinaj, përcjell ksp.

Ai është zotuar se në qeverisjen e ardhshme do të ketë buxhet të veçantë për gratë shtatzëna dhe lehonat.

“Para zonjave të Suharekës, theksova se me programin qeverisës, ne synojmë se ata që punësojnë gra të kompensohen me gjysmën e pagës, të krijohet fond i posaçëm për punësimin e tyre, të ketë buxhet të veçantë për shtatzëna e lehona dhe shtesa të fëmijëve. Vota për 100% shtet është votë për një shtëpi të sigurt dhe rritje të mundësive shtesë për gruan e Kosovës”, u shpreh Haradinaj.