Zgjedhjet 2019

Rashiqi thotë se koalicioni Liria po vepron në ilegalitet

Katër qytetarë të Kosovës janë larguar nga vendet e punës pas presioneve të Listës Serbe në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këtë e ka thënë Nenad Rashiq, kandidat për kryeministër nga koalicioni Liria, raporton KTV.

Pak ditë para nisjes së fushatës zgjedhore, Rashiqi ka thënë se serbët në Kosovë janë duke u përballur me presione, shantazhe, kërcënime edhe nëpër shtëpitë e tyre.

Rashiqi është ankuar se Lista Serbe e ndikuar nga Beogradi, po u ofron edhe para në këmbim të votës serbëve që janë kundër kësaj partie.

Madje, Rashiqi thotë se si koalicion, janë duke vepruar sikur në ilegalitet, pasi në veri të vendit nuk kanë siguri për të mbajtur tubime zgjedhore.

Rashiqi mbështet qëndrimin e kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, për zhvillim të dialogut me serbët e Kosovës.

Ai e ka quajtur të rrezikshme idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, duke thënë se 95 për qind e serbëve të Kosovës janë kundër kësaj ideje.