Zgjedhjet 2019

Haradinaj në fshatrat e Pejës: Vota për konceptin 100% është siguri për Kosovën

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka vizituar sot fshatrat Raushiq, Lybeniq e Zllapek të Pejës, ku me qytetarët e këtyre anëve ka ndarë 100 zotimet e tij për mandatin e ri qeverisës.

“Sot, me qytetarë të shumtë të Raushiqit, Lybeniqit dhe Zllapekut të komunës së Pejës, i ndava 100 zotimet, për vazhdimësinë e udhëheqjes së vendosur dhe zbatuese, e cila e ka bërë diferencën në vetëm pak muaj qeverisje”, shkruan Haradinaj në llogarinë e tij personale në Facebook, shkruan ksp.

Ai ka përkujtuar se me krijimin e ushtrisë, janë ruajtur kufijtë, teksa vendosja e taksës ndaj mallrave serbe ka ndihmuar tregun vendor.

“Kjo trevë më ka dhënë fuqinë që po ashtu ta përmbyllim Trepçën si resurs nacional i Kosovës. Me fitimin e të drejtës për tregun dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale, si dhe mbi resurset tona kombëtare, vendit i garantuam hyrjen në një gjendje të re, për zhvillim të shpejtë ekonomik. Vota masive më 6 tetor për konceptin 100% shtet e siguron vazhdimësinë e drejtimit që i kemi dhënë Kosovës”, tha Haradinaj.