Zgjedhjet 2019

Partitë japin premtime, por asnjëra s’ka treguar programe konkrete për zgjidhjen e problemeve

Premtimet për zgjidhje të shpejtë për probleme të vjetra me dekada, dominojnë në debatet e partive politike në prag të zgjedhjeve.

Por, asnjëra deri tani nuk ka treguar programe konkrete për zgjidhjen e tyre.

Nga shoqëria civile, janë të ndarë sa i përket arsyeve se pse deri më tani partitë politike nuk kanë treguar rreth planeve të tyre qeverisëse, raporton KTV.

Allen Meta, nga Demokracia për Zhvillim, thotë se partitë janë duke e vlerësuar elektoratin e tyre para publikimit të plan-programeve.

Kurse, sipas Jetmir Bakisë, nga Demokracia Plus, përfaqësuesit politikë do të duhej të shfrytëzonin këtë kohë për t’i dëgjuar kërkesat e qytetarëve.

Në anën tjetër, Arbëresha Loxha, thotë se mospublikimi i plan-programeve është duke ndodhur për shkak se shumë prej tyre nuk kanë çfarë të ofrojnë ose edhe nuk i kanë përpiluar ende.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të fillojë më 25 shtator dhe të zgjasë 10 ditë.