Zgjedhjet 2019

42 mijë aplikime për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e parakohshme

Foto: Koha

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar më shumë se 42 mijë aplikime për t’i regjistruar si votues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka njoftuar sot se 42 mijë qytetarë kanë aplikuar përmes postës dhe shërbimeve tjera të votuesve.

“Kemi futur në sistem të gjitha aplikacionet që kanë arritur përmes e-mail, postës, fax-it dhe në total është numri 42 mijë e 300 për të cilët do të bëhet vlerësimi i zotësisë juridike. Po ashtu, ka mundësi që të përfshihen dublikate apo shënime të dyfishta që kanë dërguar më shumë se një aplikacion, pra sistemi jonë i nxjerr si të tilla dhe pastaj procedohet vetëm me nga një. Po ashtu, edhe në procesim janë aplikacionet që kanë arritur përmes postës dhe diku numri i tyre është rreth 5300. Besojmë që gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfundohen këto procedura”, tha ai, raporton KP.

KQZ ka certifikuar si vëzhgues të zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit edhe 737 vëzhgues.

Komisionit Qendror Zgjedhor në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin e PZAP-së për decertifikimin e tre kandidatëve për deputetë nga Partia Euroatlantike e Kosovës dhe zëvendësimin e atyre kandidatëve. Po ashtu u decertifikua edhe Nita Hetemi, kandidate për deputete nga Partia Fjala.

Nga 18 shtator fillon periudha kur diaspora do të votojë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.