Zgjedhjet 2019

Osmani: T’i japim fund praktikave ku shteti ka hise në biznese

Descriptive Text

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se duhet t'i jepet fund praktikave ku shteti ka hise në biznese, teksa ka bërë të ditur se shumë shpejt do të finalizohet lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj partie.

Ajo gjatë një vizite te Parku i Bizneseve në Drenas tha se këto biznese duhet të kenë barazi para ligjit.

"Është kënaqësi që sot vizitojmë bizneset e suksesshme, të cilat janë krenaria e këtij vendi. Ne si LDK gjithnjë kemi dëshmuar se jemi miq të bizneseve, jo vetëm nëpërmjet përkrahjes që i kemi dhënë me pako fiskale me mundësi tjera që të eliminohen barrierat procedurale, por mbi të gjitha besojmë thellësisht se këto biznese kanë nevojë për barazi para ligjit. Barazia para ligjit është parakushti themelor që edhe të eliminohen monopolet edhe të eliminohen skemat korruptive", ka thënë Osmani.

Ajo tha se duhet të eliminohet çdo pengesë dhe barrierë për bizneset.

"Do t'i japim fund praktikave ku shteti ka hise në biznese", tha Osmani, transmeton kp.

Sa i përket përfaqësuesit të LDK-së në KQZ, pas dorëheqjes së Florian Dushit, Osmani tha se është çështje teknike dhe se do të rregullohet shpejt.

"Është çështje teknike. Besoj se do të rregullohet shumë shpejt ajo punë. LDK ka aq shumë kuadro sidomos në një fushë të tillë, kështu që ka aq shumë mundësi për të zgjedhur", tha Osmani.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre tha se nesër do të ketë draftin e parë të listës së deputetëve, derisa më datën 6 shtator do të finalizohet lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj partie.