Lumezi mban tri poste, në Antikorrupsion po e shqyrtojnë rastin për konflikt interesi

27 maj 2018 23:10

Është në krye të organit të akuzës dhe detyrë e tij është ndjekja e shkelësve të ligjit, por Aleksandër Lumezi ka rënë ndesh me Ligjin e ri për Parandalim të Konfliktit të Interesit.

Tri pozita udhëheqës i ka aktualisht Lumezi, kryeprokuror i Shtetit, kryesues i Akademisë së Drejtësisë dhe kryetar i Provimit të Jurisprudencës, raporton KTV. 

Por, që nga 20 prill i këtij viti, kur ligji mori firmën e presidentit, funksioni i tij është i kundërligjshëm.

Nenin 13 përcakton se “zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike, si dhe organeve të institucioneve të tjera publike.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, pozita e Lumezit në Komisionin për Provimin e Jurisprudencës është në pajtim me ligjin, ndërkaq për pozitën në Akademinë e Drejtësisë, duhet të vendosë Agjencia Kundër Korrupsionit.

Megjithatë, përgjigjja e Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk ka qenë e qartë nëse Lumezi është duke e shkelur ose jo këtë ligj.

“Agjencia është në proces të vendosjes së të dhënave të formularëve të deklarimit të pasurisë në databazën e saj, dhe në momentin që këto vendosen dhe bëhen publike, fillon edhe procesi i verifikimit dhe identifikimit të rasteve të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë publikë”, thuhet në përgjigjen për media të këtij institucioni.

Që nga e premtja, KTV-ja ka dërguar pyetje në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, madje ka pyetur edhe vetë kryeprokurorin Lumezi, nëse e ka shkelur Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit te zyrtarët e lartë publikë, me faktin se ai është kryeprokuror i Shtetit, udhëheq Akademinë e Drejtësisë dhe po ashtu është kryetar i Komisionit për provimin e Jurisprudencës, por ende nuk kemi marrë përgjigje.

Përveç këtyre pozitave, Lumezi mban edhe pozitat të tjera jodrejtuese, është anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe anëtar i Bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, për të cilat gjithashtu kompensohet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme