Kosova s’e dinte që Llabani u gjykua për 5 vjet rresht në Serbi për keqpërdorim në Doganë

27 maj 2018 23:09

Pesë vjet kishte zgjatur procesi gjyqësor në Serbi ndaj gjyqtarit Radomir Llaban, për ndihmën që u kishte dhënë tregtarëve për shmangie tatimi e akcize.

Por, institucionet e Kosovës nuk kanë qenë fare në dijeni për këtë, raporton KTV.

Ish-drejtori i Doganës, Naim Huruglica thotë se për herë të parë emrin e tij po e dëgjon nga zhvillimet e fundit në vend.

Huruglica thotë se pavarësisht bashkëpunimit me UNMIK-un, në atë kohë nuk kanë pasur informacione për ekzistencën e grupit “Mafia e doganave”.

Gjatë kësaj periudhe, Dogana, në bashkëpunim me UNMIK-un, kishin bërë një hetim për disa persona të cilët dyshoheshin se po kontrabandonin mallra në Mitrovicën e Veriut.

Por, pastaj me ardhjen e EULEX-it, UNMIK-u, të gjitha dosjet ua kishte dorëzuar atyre.

Misioni evropian i ka thënë për KTV-në se Gjykata e Kralevës i kishte kërkuar ndihmë që të zbatohej vendimi përfundimtar i kësaj gjykate, pa sqaruar se a bëhej fjalë për arrestim të Llabanit apo për çfarë.

“Sipas mandatit aktual, Misioni i EULEX-it nuk ka kompetenca që të procedojë kërkesa të tilla. Ky fakt i është komunikuar përmes një letre, Gjykatës Themelore të Kralevës”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për media e EULEX-it

Radomir Llabani ishte zyrtar për informim në Doganë të Serbisë dhe më 2012 u dënua nga Gjykata në Serbi për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Javën e kaluar, Llabani u zgjodh gjykatës i institucionit më të lartë të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme