Video

Askush nuk e denoncoi Gani Bernjashin për dhunë në familje

Ndonëse me një të kaluar kriminale, Gani Bernjashi, i cili një ditë më parë mbyti djalin e tij duke e rrahur me shkop druri, nuk është lajmëruar asnjëherë nga familjarët e tij ose nga të afërmit në ndonjë institucion për ushtrim dhune ose për ndonjë çrregullim mental.

Për drejtorin e Qendrës së Shëndetit Mendor në Komunën e Gjilanit, Afrim Cana, është shumë e çuditshme se si një person i tillë nuk është referuar nga askush në këtë qendër.

Ai thotë se të paktën një herë në javë, ekipi i kësaj qendre viziton komunën e Kamenicës me rrethinë, raporton KTV.

Pavarësisht që nga viti 2000, Gani Bernjashi ka marrë ndihmë sociale, as në Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Kamenicës nuk është lajmëruar asnjëherë si rast i dyshimtë.

As në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, ky rast nuk është i njohur dhe sipas drejtorit, ai asnjëherë nuk ka pranuar trajtim aty.

Ndryshe, në këtë Klinikë janë 41 pacientë të shtrirë.

Megjithatë, një muaj paraburgim i ka caktuar Gjykata Themelore e Gjilanit babait që është i dyshuar për vrasjen e djalit të tij, pas rrahjes me shkop.