Video

6 vjet e 6 muaj burgim për serbin që torturonte civilë shqiptarë, viktimat të pakënaqur

Një javë pasi u shfajësua nga një aktakuzë, Zoran Vukotiqi, në një aktakuzë tjetër për krime lufte, u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim.

Dënimin Vukotiqi e mori për rolin e tij si rezervist i policisë serbe, pasi kishte torturuar të burgosur civilë shqiptarë, në periudhën nga 2 maji deri më 23 maj në burgun e Smrekonicës, raporton KTV.

Dëshmitarët që ishin torturuar nga ai, e kishin përshkruar si më të ashprin nga rojet e tjera.

“Të rrahurat e të burgosurve kanë ndodhur jashtë ndërtesës ku po mbaheshin. Zoran Vukotiq përdorte një shufër ose një shkop për t’i goditur viktimat në duar. E nëse ata i lëviznin duart, ai i godiste ata në kokë ose në supe”, ka thënë Arnold Lauter, kryetar i Trupit Gjykues.

Megjithatë, paraprakisht, ai u lirua nga pika e akuzës që e ngarkonte për sulmin ndaj konvojit të civilëve shqiptarë që po largoheshin nga fshatra të Vushtrrisë, ku përveç lëndimeve trupore e plaçkitjes, kishte edhe të vrarë, përfshirë një 14-vjeçar.

Lirimi nga kjo pikë e akuzës i ka mërzitur dhe dëshpëruar dëshmitarët e krimeve të Vukotiqit.

Javën e kaluar, Vukotiq, në një aktakuzë të ndarë, u lirua nga përgjegjësia penale për vrasjen e 4 civilëve shqiptarë në komunën e Vushtrrisë.

Përndryshe, ky ka qenë një prej rasteve të fundit në të cilin misioni i EULEX-it ka qenë i përfshirë me prokurorë dhe gjyqtarë, derisa mandati iu përfundon në mesin e muajit të ardhshëm.