Video

Deputetë të opozitës e pozitës e shohin Kosovën si vendi me presidentin më përçarës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me medalje presidenciale ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova për të cilin tha se ka kontribut të veçantë në pavarësinë e Kosovës.

Opozita thotë se presidenti në këtë ditë do ta dekoronte edhe vetën sikur të mos frikësohej se mirënjohja do t’i kthehej prapa, raporton KTV.

Në këtë ditë që shënohet si dita e presidentit, i pari i shtetit, shihet si njeriu më përçarës në vend.

Hashim Thaçi për deputetë të Kosovës është njeriu që nuk ka arritur të dalë nga petku partiak e nuk ka tentuar asnjëherë të luaj rolin e tij unifikues.

Të tjerë vazhdojnë ta njohin Thaçin si president i gazit, e njeriu që i ka sjellë destabilitet të vazhdueshëm vendit.

E lidhin direkt me tentimin për shfuqizimin e speciales e depërtimin e shtetasve turq nga Kosova.

Deputetja e PSD-së Shqipe Pantina thotë se Hashim Thaçi nuk mund të jetë njeriu unifikues sepse vetëm ka nxitur përçarje mes grupeve politike në vend.

Përmend faktin sesi me çdo kusht ai do t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë, vetëm që përmes koncesioneve të mbaj vetën në pushtet.

Vendit i duhet një president me kredibilitet e besueshmëri e ky nuk është Hashim Thaçi ka thënë deputeti i Nismës, Enver Hoti.

Stilin kritikues ndaj opozitës, Hashim Thaçi e mori me vete edhe në presidencë.

Akuzat më të rënda i kishte ndaj Vetëvendosjes, duke harruar pozitën neutrale që mban sipas kushtetutës.

Të shpeshta kanë qenë takimet me bashkëpartiakë të dikurshëm të PDK-së, sikurse në këtë fotografi të ditës së parë të këtij muaji.