Video

Pagat në PTK do të ulen nga fillimi i qershorit

Nga qershor do të vendoset për pagat e 2 mijë e 500 punëtorëve të Telekomit të Kosovës, raporton KTV.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili beson se në fillim apo brenda muajit qershor do të vendoset lidhur me uljen e pagave të tyre.

Kjo ulje, sipas ministrit Lluka, pritet të bëhet për ta shpëtuar Telekomin nga falimentimi, pasi që, siç ka thënë ai, lista e pagave të punonjësve është 27 milionë euro, shumë kjo e papërballueshme për këtë kompani publike.

Këtë ide, sipas Llukës, e ka shprehur haptas edhe kryeministri, sepse falimentimi ka pasoja shumë më afatgjate, duke përfshirë edhe largimin e punonjësve nga puna.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Federata Sindikale e PTK-së, kryetari i së cilës ka thënë se nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë që të ulen pagat.

Kryesindikalisit i PTK-së, Lami Balaj, nëpërmjet telefonit i ka thënë KTV-së se ministri Lluka po dëshiron që ta fshehë krimin e organizuar duke u bërë pjesë e tij.

“Ministri Valdrin Lluka nuk mund ta paguajë krimin me paga të punëtorëve. Ministri, në vend se të iniciojë hetime ndaj personave, të cilët e kanë sjell në këtë gjendje Telekomin dhe të njëjtit të dërgohen në burg, po dëshiron të bëhet pjesë e krimit duke ua ulur pagat punëtorëve dhe duke e paguar krimin Z Mobile. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë diçka të tillë, nëse është e nevojshme do ta mbrojmë edhe me jetë këtë kompani”

Paga mesatare e një punëtori në Telekom është 982 euro.