Video

Familjarët të shokuar me lirimin e Zoran Vukotiq, i akuzuar për krime lufte

Zoran Vukotiq është liruar nga akuza për krime lufte, lidhur me vrasjen e katër civilëve në Vushtrri në maj të vitit 1999. Trupi gjykues, sipas kryetarit të saj, kishte dyshime të mëdha lidhur me pjesëmarrjen e Vukotiqit në këto krime, shkaku edhe i dëshmive që nuk përputheshin. Një vendim i tillë ka shokuar familjarët e viktimave.

Pak më shumë se 19 vjet pas vrasjes së Enver Rrustollit, Hamdi Fazliut, Avdulla Fazliut dhe Fahredin Fazliut, Gjykata ka dhënë vendimin e saj për njërin prej të akuzuarve si autor i këtij akti.

Prokurori i EULEX-it, Paul Flynn, ka qenë i pari që ka mbërritur në Themeloren e Mitrovicës, bashkë me të edhe familjarët e viktimave, për të cilat akuzohej serbi Zoran Vukotiq.

Pak minuta para orës 15, në sallën e gjykimit u soll edhe i akuzuari, për të marrë vesh vendimin e trupit gjykues.

Tre anëtarët e këtij trupi nuk ishin bindur nga dëshmitë e dëshmitarëve të këtij rasti dhe morën vendim që ta lirojnë nga akuzat.

“Nuk kishte dyshime për gjërat që kanë ndodhur në maj të vitit 1999. Por ka pasur dyshime të mëdha lidhur me pjesëmarrjen e Zoran Vukotiqit në këto veprime si person përgjegjës për të gjitha ato të këqija që u kishin ndodhur familjeve”.

Familjarët mezi kanë arritur të komentojnë një vendim të tillë të gjykatës, që nuk kanë dyshim se Vukotiq ishte autor i krimeve, bashkë me Goroljub Paunoviqin, që nuk është kapur nga drejtësia.

Vukotiq është kthyer sërish në qeli, derisa ndaj tij ka edhe dy aktakuza të ngritura nga Prokuroria Speciale për krime lufte.

Njëra lidhet me vrasjen e një 13-vjeçari, po ashtu në Vushtrri, e tjetra aktakuzë me keqtrajtimet në burgun e Smrekonicës nga maji deri në qershor 1999.