Prokuroria kërkon dënim për imamët “ashtu që askush më mos të guxojë të kryejë vepra si ta”

15 maj 2018 10:03

Procesi gjyqësor ndaj ish-liderit të LISBA-s, Fuad Ramiqi, dhe katër imamëve, Enes Goga, Mazllam Mazllami, Idriz Bilibani dhe Bedri Bojat po shkon drejt fundit.

Të premten, Gjykata Themelore e Prishtinës shpall aktgjykimin ndaj tyre për veprën penale ‘shtytje në kryerje të veprave terroriste dhe nxitje e urrejtjes’, raporton KTV.

Këtu përfshihen kryesisht thirrje të imamëve që të luftohet në Siri, e që qytetarët e Kosovës t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra”.

Të hënën, mbrojtja dhe Prokuroria kanë paraqitur fjalën e tyre përfundimtare.

Prokuroria kërkoi dënim të të pandehurve.

Ndërkaq, Ramiqi është mbrojtur në heshtje, duke thënë se qëndron prapa deklaratës së dhënë në Prokurori.

Derisa, në fjalën e tij përfundimtare tha se procesi është ndjekje politike dhe krijim i mendimit anti-islam te qytetarët.

Të gjithë të pandehurit mohuan se kanë bërë thirrje për të shkuar në Siri.

4 imamët akuzohen se kanë nxitur, përmes ligjëratave, pjesëmarrjen në luftën në Siri.

Ndërkaq, Fuad Ramiqi akuzohet për paraqitje publike në mjetet e informimit, duke bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme