Video

Energjia përplas Haradinajn me Kurtin e Sejdiun

Problemet e furnizimit me energji elektrike, e ardhmja e termocentralit të ri dhe mënyra e shpronësimeve në Hade e kanë përplasur kryeministrin Haradinaj me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, dhe Dardan Sejdiun nga Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Dy të fundit e kanë akuzuar qeverinë për një numër problemesh në këtë sektor, raporton KTV.

Kurti ka përmendur shkeljet, që sipas tij, janë bërë me kontratën e Termocentralit Kosova e Re dhe mënyrën e shpronësimit në fshatin Shipitullë.

Mirëpo, me këto konstatime nuk u pajtua Haradinaj, i cili përveç që tha se dallojnë në koncepte, e akuzoi Kurtin se po ndikohet nga lobet që janë pro importit të energjisë.

Haradinaj u përplas edhe me deputetin e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu.

Para fillimit të interpelancës, kuvendi u përball sërish me mungesë gatishmërie për votim të pikave të përcaktuara në rendin e ditës.

Në mungesë votash të pushtetit dhe mosgatishmëri për votim nga opozita, dështuan nga dy herë votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar dhe votimi për emërimin e gjashtë anëtarëve të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Mosvotimi i tyre shkaktoi debat mes PDK-së dhe VV-së në kohën kur ishte në pikë diskutimi formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

PDK-ja nuk u pajtua të votonte për këtë komision, me arsyetimin se partitë opozitare nuk pranuan të merrnin pjesë fare në votim për dy pikat e lartpërmendura dhe me qëllimin e vetëm që të bllokojnë punën e kuvendit.

Mirëpo, VV-ja tha se kjo situatë po i konvenon PDK-së, e cila është përgjegjëse për ekstradimin e shtetasve turq.

AAK-ja vendosi që të mos marrë fare pjesë në komision, pasi konsideronin se me dështimin e disa pikave dhe tentim votimin e disa të tjerave, po synohet të bëhen pazare.

Për shkak të këtij debati, propozuesi Avdullah Hoti vendosi që ta heqë nga votimi.