Video

Ndjekja penale për faljen e hidrocentraleve mund të parashkruhet

Kanë mbetur më pak se një muaj që Prokurori i Shtetit të shpallë aktvendim për hetim të katër hidrocentraleve të cilat iu dhanë kompanisë “Limaj- Calik” me rastin e privatizimit të kompanisë për distribucion dhe furnizim me energji elektrike.

Nëse deri mesin e muajit maj nuk nxirret aktvendimi, atëherë ndjekja penale do të parashkruhet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, Prokuroria ka afat 5 vjet për shpalljen e aktvendimit për hetim të keqpërdorimit të detyrës zyrtare që nga momenti i kryerjes së veprës penale, raporton KTV.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit, ka 25 muaj që kur ka nisur mbledhjen e informatave.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi këtë e cilësojnë si vonesë të qëllimshme.

Ehat Miftaraj nga ky institut, thotë se vonesat për mbledhje të informatave po e rrezikojnë hetimin e rastit.

Nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje ishin: Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Dardan Gashi, Bedri Hamza dhe Nenad Rashiq .

Në Institutin për Politika Zhvillimore vlerësojnë se mungesa e Hidrocentraleve e ka përkeqësuar furnizimin me energji elektrike.

Gjatë këtyre viteve, vendi ka pasur kriza me furnizim të energjisë, duke u detyruar që ta blejë atë nga vendet e rajonit.

Detajet e kësaj kontrate të nënshkruar më 8 maj të 2013-s nuk u janë bërë kurrë të ditura qytetarëve.

Madje edhe qasja në këtë dokument zyrtar ishte pamundësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomike, deri kur u mor vendimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas padisë së ushtruar nga Instituti GAP.