Video

Haradinaj ia lë Thaçit pjesën e vet për shkarkimin e Gashit

Driton Gashi, drejtor i AKI-së, po e vazhdon punën, përkundër kërkesës së kryeministrit për largim të tij nga kjo pozitë, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Gashi nuk i është bindur as Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, duke mos ardhur fare që të raportojë. Ndonëse në drejtim të institucionit që ai udhëheq shkuan tri ftesa.

Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, ka thënë se më nuk do të ftohen zyrtarët e AKI-së, derisa zyrtarisht të dihet nëse Driton Gashi është liruar nga detyra e drejtorit të AKI-së.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka deklaruar se gjysma e punës për shkarkimin e drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, ka përfunduar, dhe, sipas tij, gjysma tjetër mbetet në dorën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, nuk ka dashur të deklarohet nëse do të shkarkojë kreun e AKI-së, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq në vendlindje.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, të martën zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.