Video

Deputetët akuzojnë Thaçin për deportimin e “gylenistëve”, kërkojnë përgjegjësi

Me akuza për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi është shoqëruar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për dëbimin e shtetasve turq. Por, në këtë seancë nuk morën fare pjesë kryeministri e as kryeparlamentari Veseli.

LDK-ja, duke e cilësuar skandal dëbimin e tyre, ka kërkuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë me 4 pika.

Partitë opozitare, LDK-ja dhe VV-ja, kanë akuzuar presidentin Thaçi se është urdhërdhënësi i aksionit, derisa kanë thënë se ai e kishte anashkaluar tërësisht kryeministrin.

Duke e dënuar dëbimin e shtetasve turq, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, AAK-së dhe Nismës kanë kërkuar përgjegjësi dhe informata shtesë për rastin.

Por në mbrojtje të këtij aksioni të dëbimit është shprehur deputeti turk në Kuvendin e Kosovës.

Meqë kryeministri nuk ishte në seancë, në emër të qeverisë ka folur Ministri i Drejtësisë, i cili u mundua ta justifikojë dëbimin pa folur në përgjithësi për numrin e të dëbuarve në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e AKI-së por statusi i këtij të fundit ende është i paqartë. Presidenti Hashim Thaçi nuk e ka dhënë pëlqimin për këtë shkarkim.