Mbyllet firma belge që eksportoi mish të prishur në Kosovë, shqetësimet mbeten

14 mars 2018 19:23

Fabrika Veviba, që pranoi se ka eksportuar mish të vjetër së paku 12 vjet në Kosovë, është mbyllur nga autoritetet në Belgjikë. Me moskontrollin e cilësisë së mishit, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se po vuloset varrimi i 2 milionë banorëve të Kosovës, raporton KTV.

Lajmi se në Kosovë është eksportuar mish i vjetër më shumë se 10 vjet, e ka shqetësuar Odën Ekonomike të Kosovës.
Kryetari i saj, Safet Gërxhaliu, ka thënë se kosovarët po vriten nga shteti sikurse gjatë luftës, vetëm se tani kjo po bëhet përmes ushqimit.

Ai thotë se duhet të lihen anash interesat grupore ose individuale e të ruhet shëndeti i popullit të Kosovës.

Sipas tij, urgjentisht duhet të ketë debat parlamentar për këtë temë.

Në të kundërtën, Gërxhaliu thotë se qytetarëve nuk do t’iu duhet as liberalizimi i vizave e as përfitimet tjera shtetërore nëse vet shteti luan me shëndetin e tyre.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me cilësinë e mishit që hyn në Kosovë.

Veviba e Belgjikës ka eksportuar mish pa afat në Kosovë disa herë por edhe në vende tjera të Evropës Juglindore.

Gjithashtu raportohet se kompania ka falsifikuar dokumente gjatë eksportit, përfshirë datat e skadimit.

Autoritetet në Belgjikë tashmë e kanë mbyllur këtë fabrikë dhe marketet atje e kanë larguar nga shitja mishin e kësaj kompanie.

Rreth 20 ton të këtij mishi ishin kapur nga autoritetet e Kosovës në vitin 2016 dhe ishin asgjësuar në Prizren.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme