Kronikë e KTV-së për përplasjet në Kuvend

14 mars 2018 19:03

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar për orë të tëra për njëqind ditshin e qeverisë, në kohën kur kjo qeveri po numëron gati dyqind ditët e saj. E gjithë përplasja më e madhe u bë mes pushtetit dhe LDK-së për ushtrinë e Kosovës, raporton KTV.

Një debat i thirrur që prej 20 dhjetorit nga LDK-ja për 100 ditshin e qeverisë ka arritur të mbahet vetëm pas tre muajsh, kur qeveria Haradinaj po numëron gati 200 ditë në krye të detyrës.

Si zakonisht, në debate parlamentare përplasjet mes pushtetit e opozitës ishin të forta e kryeministri edhe në ata pak minuta sa qëndroi në sallë, nuk arriti ta kontrollonte fjalorin, duke i ofenduar deputetët, por më vonë kërkoi falje për to.

Gjithçka nisi kur shefi i deputetëve të LDK-së tha se qeveria e re, në krye me Haradinajn, u bë për të marrë vendime të mëdha, siç janë demarkacioni e ushtria, e asnjëra nga to nuk arritën të bëhen realitet, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Por, Kryeministri tha se LDK-ja e ka lënë Kosovën pa ushtri.


Në debatin për ushtrinë u kyç edhe zëvendëskryeministri Hoxhaj, me të cilin replikoi Vjosa Osmani e LDK-së.

Hoxha i ka quajtur ditët e ardhshme vendimtare për çështjen e demarkacionit, derisa ka kërkuar votën e Vetëvendosjes, në të kundërtën, tha se detyrohen ta kërkojnë votën e Listës Serbe.

Më herët, edhe vetë kryeministri tha se ende nuk i kanë votat për demarkacionin.

Por kryeministri nuk qëndroi në sallë për të dëgjuar debatin, madje nuk ishte as për ta dëgjuar deputetin e partisë që e ka në koalicion, i cili kërkonte publikimin e çdo centi të shpenzuar nga qeveria.

Ndërkohë, më herët, në seancë nuk arritën të kalonin rekomandimet e opozitës, që kërkonin anulimin e vendimit për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme