Rifillimi, me vonesë, i gradimeve në FSK

06 mars 2018 19:19

Vetëm pak ditë pasi Kohavisioni raportoi për stopimin e gradimeve brenda FSK-së, komandanti Suprem i Forcës, presidenti Hashim Thaçi, ka bërë gradime në këtë forcë, raporton KTV.

Nga gjeneral brigade në gjeneralmajor, me dekret të presidentit, u graduan Bashkim Jashari e Zymer Halimi. Enver Cikaqi u emërua komandant i Forcave Tokësore dhe zëvendëskomandant i FSK-së, ndërsa pesë kolonelë janë graduar në gjeneral brigade.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se këto gradime nuk janë të rastësishme, derisa ka shtuar se përvoja e të sapo- graduarve, e ka sjellë FSK-në në prag të transformimit në ushtri.

Ditë më parë, Hysen Geci, një nënkolonel i pensionuar, hodhi akuza në drejtim të komandës së FSK-së dhe vetë komandantit të saj, Rrahman Rama, për gradime klanore e të interesave të ngushta.

Për tri vjet radhazi, ky proces nuk kishte lëvizur dhe nuk ishte shpërndarë asnjë gradë ashtu siç e parasheh Rregullorja për zhvillimin e karrierës së pjesëtarëve të FSK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme