Lumni Krasniqi tregon pse i mori edhe fëmijët për homazhe te Jasharajt

05 mars 2018 19:36

Në çdo 5 mars, Lumni Krasniqi bashkë me familjen e tij viziton varrezat e familjes Jashari në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Krasniqi thotë se në këtë mënyrë po e nderojnë sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.

Ai tregon se qëllimisht ka marrë edhe dy fëmijët e tij që të njihen me historinë e kësaj date.

Përveç Krasniqit në shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së edhe shumë qytetarë të tjerë e ish-luftëtarë të UÇK-së kanë bërë homazhe në kompleksin “Adem Jashari”.

Homazhe te varrezat e familjes Jashari ka bërë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

“Epopeja e UÇK-së” shënohet çdo vit për ta nderuar luftën heroike të komandantit Adem Jashari, sakrificën e familjes Jashari dhe nderimin e dëshmorëve dhe të rënëve për liri”.

Sulmit ofensiv me artileri të rëndë i mbijetoi djali i Rifat Jasharit, Bashkimi dhe vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Ndërkohë, në Prekaz pranë kompleksit memorial, është zbuluar mozaiku i komandantit legjendar Adem Jashari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme