Video

VV kërkon nga AKK kallëzime penale për Haradinajn e ministrat që nënshkruan rritjen e pagave për vete

Shfuqizim e jo pezullim të vendimit për rritje pagash për kabinetin qeveritar po kërkon Lëvizja Vetëvendosje.

Pasi Agjencia Kundër Korrupsion gjeti se vendimi ishte në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, deputetja Albulena Haxhiu i ka kërkuar Agjencisë të ngritë kallëzime penale për kryeministrin e ministrat që votuan PRO vendimit, raporton KTV

Sipas Haxhiut, kryeministri nuk ka qenë në dijeni se vendimi prek edhe gjyqtarët e prokurorët. E tentimet për të përfituar nga kjo, i ka quajtur të pasinqerta.

Në këtë konferencë, Haxhiu foli edhe për kërkesën që e kanë bërë për interpelancë, ku pritet të diskutohet përveç kërkesës për shfuqizim të vendimit, edhe për pagën minimale e për lartësinë e pagesës për skemën sociale.

Kjo kërkesë do të shqyrtohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të hënën.

Ndërkaq, vendimi për rritje të pagave, aktualisht është i pezulluar, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.