Video

Përkrahet iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Familjen

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës i ka dhënë përkrahje iniciativës për të ndryshuar Ligjin për Familjen, raporton KTV.

Këtë iniciativë e ka marrë në mënyrë individuale, politologia Luljeta Aliu e cila e ka prezantuar para Komisionit për Legjislacion dhe Mandate.

Aliu e arsyetoi iniciativën dhe kërkoi përkrahje nga deputetët, ngase në rastet e divorceve, pavarësisht që ligji e përcakton ndarjen e pasurisë mes partnerëve në mënyrë të barabartë, nuk po ndodh kështu.

Gjithashtu ajo kërkon që ligji të njohë angazhimin që gratë bëjnë në kujdesin e fëmijëve apo punët e shtëpisë e që nuk njihet si punë.

Disa nga deputetët e kontestuan mënyrën se si ka arritur iniciativa në komision, por megjithëkëtë i dhanë mbështetje.

Përgjegjësinë e mori kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, e cila tha se me vullnet të saj e ka futur në rend dite këtë çështje.

Anëtarët u dakorduan që të shikojnë mundësinë ligjore se si të veprohet më tutje lidhur me këtë iniciativë.