Video

Kronikë e KTV-së për dështimin e rinisjes së dialogut Kosovë - Serbi

Serbia i ka ndërprerë bisedimet me Kosovën, të cilat do të duhej të rinisnin sot. Ndërprerjen e bisedimeve e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës. Mediat serbe njoftojnë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, citohet të ketë thënë se kur ka kërcënime të përditshme, është e pakuptimtë dhe e vështirë që të dialogohet. Ai ka aluduar në deklaratën e kryeparlamentarit Veseli, i cili dje tha se “nëse Serbia tenton të kthehet sërish në Kosovë, ne nuk do të ndalemi deri në Nish”.

Ka dështuar rinisja e dialogut mes Kosovës e Serbisë, pas vrasjes së ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Serbia është tërhequr nga dialogu, duke mos pranuar që të ulet në tavolinë me palën e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga të dy delegacionet.

Nëpërmjet telefonit, shefi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifaj, ka thënë se janë njoftuar nga zyrtarët e BE-së, se delegacioni serb është kthyer prapa, pas lajmit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Megjithatë, ai ka thënë se kjo nuk është ndërprerje e bisedimeve, por vetëm shtyrje për shkak të gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës.

Edhe presidenti serb, siç njoftojnë mediat serbe, ka folur për tërheqjen nga dialogu, duke thënë se kur kemi kërcënime të përditshme, është e pakuptimtë dhe e vështirë që të dialogohet.

Ai ka mbledhur me urgjencë Këshillin e Sigurisë të Serbisë.

Vuçiqi me herët komentoi edhe deklaratën e Veselit, i cili dje në Reçak ka thënë: “Nëse Serbia tenton të kthehet sërish në Kosovë, ne nuk do të ndalemi më deri në Nish”.

“Është vështirë të flitet me dikë kur keni kërcënime të përditshme, kërcënime këto që vijnë nga Zoti, e ky nuk është as Thaçi e as Haradinaj, por Kadri Veseli, dhe këtë e dinë të gjithë atë që e njohin mirë gjendjen në Kosovë, dhe i cili flet se si shqiptarët nuk do të ndalen deri në Nish. Ne i kemi kuptuar ato kërcënime, si dhe heshtjen e atyre që ishte dashur të reagonin menjëherë. Deri në Nish nuk do të vish dhe Nishi do të mbetet qytet i bukur, të cilin mund të vizitoni si turist, kurse që të vini me ushtri, harrojeni.”

Por, Veseli nuk ka pranuar sot t’i komentojë deklaratat e Vuçiqit.

Edhe zëdhënësja e BE-së e ka konfirmuar suspendimin e dialogut, duke thënë se nuk e di kur do të vazhdojë ai.

“E dini se sot në kuadër të dialogut është dashur të takoheshin palët, por shkaku i vrasjes së Ivanoviqit është suspenduar aktualisht për vazhdimin e këtij dialogu nuk mund të them ende asgjë.”

Delegacioni i Kosovës dhe ai Serbisë, sipas agjendës, kanë pasur të diskutojnë për marrëveshjet e arritura dhe zbatimin e tyre, derisa Arifi ka konfirmuar se në agjendë ishte edhe çështja e Asociacionit të Komunave Serbe dhe moszbatimi i marrëveshjes për energji.