Video

Valë dorëheqjesh në Vetëvendosje

Dardan Sejdiu është bërë anëtari i gjashtë me radhë i Vetëvendosjes që brenda pak muajsh ka dhënë dorëheqje.

Tashmë nga ky funksion janë larguar Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Aida Dërguti, Donika Kadaj Bujupi e Ylli Hoxha, raporton KTV.

Sejdiu, që ka qenë nënkryetar i parë i Vetëvendosjes, ka dhënë dorëheqje edhe nga kjo pozitë si dhe nga Këshilli i Përgjithshëm.

Në letrën e tij ka thënë se do të vazhdojë të mbesë deputet në Kuvend të Kosovës dhe anëtar i VV-së, sipas bindjeve të tij.

Ka kohë që ballafaqohemi me një problem brenda Lëvizjes Vetëvendosje, problem për të cilin kam qenë i informuar në intervale të ndryshme kohore dhe atë vetëm pjesërisht, e i cili kohëve të fundit ka një intensitet më të shtuar e mediatizim të dëmshëm. Me këso shpërthime nuk jam pajtuar e as nuk pajtohem. Pavarësisht çfarë mendojnë aktivistë të përfshirë, kjo nuk i shërben të mirës së askujt e aq më pak organizatës sonë. Kjo vetëm se e dëmton më shumë Lëvizjen Vetëvendosje.

Në letrën e tij, Sejdiu ka shtuar se të papranueshme kanë qenë veçanërisht sulmet ndaj njëri-tjetrit, sidomos në rrjete sociale.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë, bashkë me Grupin Parlamentar, kemi diskutuar për këtë problem. Fatkeqësisht, nuk kam parë sinqeritetin e duhur dhe seriozitetin e domosdoshëm për zgjidhjen e problemit. Kjo u dëshmua edhe me shkeljen e menjëhershme të kësaj dakordance fillestare, të thjeshtë por të domosdoshme, të cilën e arritëm në mbledhje dhe e cila obligonte të gjithë që të përmbahemi nga ofendimet, shpifjet, insinuatat e të ngjashme, përmes rrjeteve sociale, ndaj njëri–tjetrit.

Sejdiu ka thënë se nuk është konsultuar as për mbledhjen e kryesisë, ani pse ai me statut, do të duhej të ushtronte detyrën e kryetarit, pas dorëheqjes së Visar Ymerit.

Para nisjes së kësaj mbledhjeje, Albin Kurti, që kandidon për kryetar të VV-së, ka folur shkurt për pikat e saj dhe ka mohuar gjithashtu të jetë takuar me pushtetin, për të koordinuar veprimet rreth shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Por, pas mbledhjes së kryesisë, që zgjati më shumë se 4 orë, u tha se as dorëheqja e Dardan Sejdiut e as këto të muajve të fundit, nuk janë pranuar.

Lëvizja Vetëvendosje është ballafaquar me shumë ndasi brenda saj në muajt e fundit, të cilat në publik kulmuan me publikimin e mesazheve ku Aida Dërguti e ofendoi Albin Kurtin.