Krejt çfarë tha Thaçi në fjalimin e vet vjetor që nuk e mbajti në Kuvend

05 dhjetor 2017 19:07

Duke thyer traditën e gjatë institucionale, presidenti Hashim Thaçi, ka injoruar Kuvendin e Kosovës dhe të zgjedhurit e popullit, për të mbajtur fjalimin e tij vjetor para pjesëtarëve të FSK-së, raporton KTV.

Aty, Thaçi është treguar kritik me BE-në, për të cilën ai tha se ia imponoi Kosovës Gjykatën Speciale, që si kryeministër i detyroi deputetët e PDK-së ta votojnë.

Për Thaçin, misioneve të huaja në Kosovë u ka kaluar koha.

Duke lavdëruar FSK-në, ai tha se transicioni i saj në Ushtri do të duhet të përfundojë shumë shpejt.

Presidenti foli edhe për vizat. Tha se paradoksi, me të cilin ballafaqohet vendi, është dëshpërues: Serbia e ka derën hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar.

Thaçi thotë se qytetarët kanë përgjegjësi që të sillen si zot shtëpie në vendin e tyre, dhe e ka quajtur turp dhunën në institucione nga vetë përfaqësuesit institucionalë.

Siç tha ai, duhet urgjentisht të rindërtohet konsensusi nacional për çështje të interesit të përbashkët, meqë janë disa çështje që nuk varen se kush është duke qeverisur e kush është në opozitë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme