Video

Çfarë po i pengon studentët e Fakultetit Teknik

Një pjesë e objektit të Fakultetit Teknik tash e dy muaj është kthyer në rrëmujë nga mbeturinat e mbetura prej punimeve, të cilat po bëhen në këtë objekt, raporton KTV.

Studentët ankohen se krejt afër sallave të ligjëratave janë vendosur mbetje të metaleve, ndërsa, përveç kësaj, pengesë për ta është edhe zhurma e madhe.

Ankohen se punimet është dashur të kryheshin gjatë kohës së pushimeve.

Rrëmuja gjithandej objektit telashe po i shkakton edhe Dekanatit, por arsyeja e ruajtjes së këtyre mbetjeve thonë se po bëhet për një qëllim të mirë.

Komisioni, i cili tashmë është formuar, do të bëjë vlerësimin e këtyre mbetjeve, shumica prej të cilave janë të metalta, dhe pastaj t’i shesin ato dhe mjetet të shkojnë në llogari të UP-së.

Profesori në Fakultetin e Ndërtimtarisë Naser Kabashi beson se punimet e këtij projekti, i cili financohet përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Bankës Botërore, do të përfundojnë deri në fund të vitit.