Kryesuesi ka të drejtë ta thërrasë seancën sa herë që e shesh të nevojshme, PAN-i e quan arbitrare

08 August 2017 09:05

Të enjten deputetët do të kthehen sërish në sallë plenare me ftesë të kryesuesit Adem Mikullovci, por ende nuk dihet nëse aty do të jenë deputetët e PAN-it me emrin e kandidatit për kryetar.

Koalicioni PAN e ka quajtur arbitrar vendimin e kryesuesit për seancë, ndërsa vendimin për vazhdimin e seancës konstitutive do ta marrin pas takimit konsultativ.

Nëpërmjet një komunikate për media, ky koalicion ka akuzuar kryesuesin Adem Mikullovci që është deputet i Vetëvendosjes se është vënë në shërbim të plotë vetëm të një subjekti politik.

Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën ka thënë se kryesuesi Adem Mikullovci po harron se ka veç një rol formal aty.

Por, analisti Albert Krasniqi thotë se kryesuesi ka të drejtë ta thërrasë seancën sa herë që e shesh të nevojshme sepse ka më shumë kompetenca sesa vetë kryetari i Kuvendit. Krasniqi ka kritikuar edhe rolin e presidentit duke thënë se ai ka punuar vetëm në favor të PAN-it.

Javën e shkuar, kishin dështuar dy seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për shkak të mungesës së PAN-it në sallë, ndërkohë as takimi i përfaqësuesve politikë të premten që shkoi nuk solli rezultat. Një takim tjetër pritet të ndodhë të mërkurën, derisa atë do ta bojkotojë Lëvizja Vetëvendosje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme