Video

Përshkallëzon “lufta” PDK-LVV

Akuza të reja në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka prezantuar edhe këtë të diele Partia Demokratike e Kosovës në Prishtinë.

Ka akuzuar Vetëvendosjen për punësime partiake në shkollat e Prishtinës, duke përmendur emra dhe mbiemra të atyre që pretendon se i përkasin kësaj partie, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse është e diela e tretë që po prezanton pretendimet për keqpërdorimet që kanë ndodhur me qeverisjen e Shpend Ahmeti, ajo nuk ka bërë asnjë hap më tepër se kaq.

E pyetur nga gazetarët nëse këto dokumente që po prezanton janë dërguar në Prokurori, Dhurata Hoxha, anëtare e kryesisë së Degës në Prishtinë (dhe ministre në detyrë e Drejtësisë), ka thënë se ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por se janë në përgatitje të një dosjeje, që do t’i dërgohet Prokurorisë. Sipas saj, lënda kundër Ahmetit është më e gjerë sesa 72 dosjet që Vetëvendosje ka deponuar në Prokurori për ish-qeverisjen e Isa Mustafës në Prishtinë.

E akuza dhe kundërakuza më të rënda drejtuan ditë më parë zyrtarët e njërës dhe tjetrës parti. Ata kanë shkuar aq larg sa kanë akuzuar njëra-tjetrën edhe për vrasje të pasluftës dhe sulme ndaj ndërtesës së Kuvendit dhe RTK-së.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.