Video

Banorët afër Batllavës kërkojnë shenjëzim të pjesës më të rrezikshme të liqenit

Erza Llugaliu është 10 vjeçarja që humbi jetën në liqenin e Batllavës pasditen e së dielës, ku shkoi bashkë me xhaxhanë dhe fëmijë të tjerë të familjes.

Familjarët e së ndjerës nuk kanë dashur të deklarohen para kamerës, por gjyshi i saj ka bërë të ditur se xhaxhai i Erzës është në gjendje të rëndë emocionale dhe fajëson veten për vdekjen e mbesës, raporton KTV.

Erza vdiq në këtë pjesë të Liqenit e që për banorët, njihet si zona më e thellë dhe e rrezikshme.

Sipas banorëve, kur niveli i ujit është i lartë në këtë zonë të Liqenit, thellësia arrin deri në 4 metra, ndërsa aktualisht sipas matjeve të bëra, thellësia arrin deri në 3 metra.

Ymer Bajrami, i cili punon në Liqenin e Batllavës thotë se duhet të shenjëzohen zonat e rrezikshme, sepse jo të gjithë mund ta dinë thellësinë e liqenit.

Erza vajza e pestë e Besim Llugaliut, sipas familjarëve, vdiq gjatë rrugës për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa ngjarja sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur në orën 17 e 35 minuta.

Ndërkaq, banorët bëjnë thirrje që ambulanca duhet të punojë edhe të shtunave dhe të dielave, pasi fluksi më i madh i njerëzve që frekuentojnë liqenin, është pikërisht gjatë vikendit.