Video

Bizneset mirëpresin miratimin e pakos së re fiskale

Bedri Kasumi nga kompania “Pestova” i është gëzuar tej mase miratimit të pakos së re fiskale.

Ai thotë se për kërkesat e përfshira në këtë pako ka 10 vjet që po bën kërkesa të vazhdueshme.

Vonesat për tërë këto vite, i kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se me këtë pako do të bëhet i mundur forcimi i mëtutjeshëm i bizneseve vendëse.

Ai ka bërë të ditur se e gjithë pakoja është bërë në koordinim të plotë me FMN-në duke ia plotësuar disa prej kërkesave të kësaj të fundit, ndërsa ka deklaruar se presin implikime në buxhet pa sqaruar sa.

Mirëpo, mënyra e miratimit dhe mosnjoftimi i shoqatave të biznesit me përmbajtjen e pakos fiskale, ka shkaktuar paqartësi te këto të fundit.

Në listën që përmban 22 masa, një pjesë e madhe e tyre janë paraparë të hyjnë në fuqi gjatë korrikut, ndërsa një pjesë tjetër do të jenë në muajt shtator dhe tetor.

Në pritje të Qeverisë dhe të Legjislaturës së re, janë disa plotësim-ndryshime të disa ligjeve që duhen ndryshuar.