Video

Qeveria e Presidenca prezantojnë komentet e dërguara në ZRRE

Dy institucionet më të larta shtetërore i kanë prezantuar të martën komentet lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, të cilat një ditë më parë ia kanë përcjellë Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Qeveria dhe Presidenca janë në një linjë që pragu i propozuar për shtrenjtim prej 600 kilovatëve nga ZRRE-ja të rritet.

Në emër të Ekzekutivit, Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se i kanë propozuar ZRRE-së që ta rrisë pragun në 1000 kilovatë, derisa për ata që e tejkalojnë këtë prag ka propozuar që tarifa e lartë prej 14 centëve të ulet në 11 centë e gjysmë.

“Ne kemi propozuar që për amvisëritë, pra për konsumatorët familjarë, blloku i parë tarifor të jetë 1000 KWh dhe i ndarë 500 gjatë ditës dhe 500 gjatë natës, pra të jetë 1000. Meqë, konsiderojmë që për një afat kaq të shkurtër është e vështirë për familjet të përshtaten menjëherë dhe për këtë bllok për 1000 kilovatët orët e para 500 ditën 500 natën çmimi të mbetet i pandryshuar”, tha Murati.

Murati tha se propozimi i dikasterit të tij për ZRRE-në ka qenë që barra e shtrenjtimit të shpërndahet edhe te bizneset.

E, për kursyesit e rrymës, Qeveria, përveç zotimit për subvencionim, ka paralajmëruar se është duke dizajnuar edhe masa shtesë.

“Për shembull, nëse një familje ka shpenzuar 100 euro në shkurtin e vitit të kaluar, dhe këtë vit arrin ta ulë konsumin në 90 euro, do të marrë edhe po aq nga shteti, dmth do të kursejë dyfish”, tha Murati.

E Presidenca në komentet e saj i ka propozuar ZRRE-së të rikthejë tri blloqet tarifore si në vitin 2017, ose të rrisë pragun e paraparë prej 600 kilovatësh.

Edhe këta, ashtu si Qeveria kërkojnë përfshirjen e bizneseve në skemën e re tarifore.

“Me propozim të strukturës tarifore me tri blloqe, përkundër rritjes së çmimit të energjisë, rritja do të ishte dukshëm më e përballueshme për të gjithë, dhe në mënyrë të tillë, edhe shuma e subvencionit të ofruar nga Qeveria do të mund të përdorej për mbulimin e barrës së më shumë kategorive të konsumatorëve në mënyrë më të njëtrajtshme. Në të kundërtën, në rast të hezitimit të rikthimit në 3 blloqe tarifore, duhet të shqyrtohet mundësia e rritjes së pragut prej 600kwh/muaj”, thuhet nga Zyra e Presidentes.

Zyra e Presidentes i ka kërkuar ZRRE-së të vendosë paanshëm dhe me qasje të barabartë ndaj të gjithë konsumatorëve.