Video

Kosova shënon përparim në luftën kundër korrupsionit

Gjatë një konference të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës, ku edhe u prezantuan të dhënat e indeksit, është quajtur lajm i mirë që Kosova ka pasur hapa pozitivë në luftën kundër korrupsionit, porse, sipas tyre, ky është një progres i lehtë

Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, sipas indeksit të përceptimit të publikuar nga organizata “Transparency International”, duke u ngritur për 17 vende me 39 pikët e marra.

Herën e fundit që Kosova kishte marrë 39 pikë ishte në vitin 2017, ndërsa rënie për dy pikë kishte pasur një vit më pas. Me 36 pikë ndërkaq ishte vlerësuar më 2019 dhe 2020.

Gjatë një konference të mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës, ku edhe u prezantuan të dhënat e indeksit, është quajtur lajm i mirë që Kosova ka pasur hapa pozitivë në luftën kundër korrupsionit, porse, sipas tyre, ky është një progres i lehtë.

Arben Kelmendi nga KDI, ka deklaruar se ky progres u atribuohet kryesisht zhvillimeve demokratike, porse ka shtuar se nuk duhet mohuar edhe meritat e Qeverisë aktuale.

“Ne kemi vlerësuar se progresi i sivjetmë i Kosovës u atribuohet kryesisht zhvillimeve demokratike në shoqërinë tonë, e dimë që gjatë vitit 2020 janë mbajtur dy palë zgjedhje: zgjedhjet qendrore dhe ato lokale, të cilat janë përcjellë me një transicion apo bartje paqësore të pushtetit prej partive asokohe në pushtet, në opozitën e atëhershme. Kemi një vlerësim pozitiv për zhvillimet demokratike për një transferim paqësor të pushtetit. Gjithashtu, kemi vlerësuar se në një demokraci të tillë do të thotë se janë konsoliduar zgjedhore, patjetër që do të duhej të krijoheshin kushtet edhe për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Kelmendi.

Hap të mirë e të nevojshëm për ta ulur nivelin e korrupsionit Kelmendi e ka quajtur edhe fillimin e punës për procesin e vettingut.

“Kemi parë fillimin e procesit të vettingut, një koncept-dokument për vettingun tani është duke u përkthyer në një seri projektligjesh dhe iniciativash ligjore për të rritur efikasitetin e punës së gjyqësorit dhe për të rritur besimin e publikut në institucionin e gjyqësorit”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, disa ambasada, si ajo e Francës dhe e Gjermanisë, e kanë përgëzuar Kosovën për këtë arritje, duke e zotuar mbështetjen për luftimin e korrupsionit. “Lajm i mirë. Kosova shënon progres, duke u ngjitur për 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Duhet vazhduar këtë përparim. Franca e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, shkruhet në postimin e Ambasadës franceze.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter ka vlerësuar Kosovën për këtë arritje.

“Është inkurajuese që Kosova më në fund filloi të ecë në bisedime për ta luftuar seriozisht korrupsionin. Vazhdoni kështu! Kosova ka mbështetjen e plotë gjermane”, shkruhet në postimin e tij.

Ndërkaq, sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, në krye të listës qëndron Mali i Zi, me 46 pikë, përcjellë nga Kosova e Maqedonia e Veriut me nga 39 pikë, Serbia me 38 pikë, ndërkohë që në fund qëndrojnë Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina me nga 35 pikë.

Ngritje pikësh më së shumti ka pasur Maqedonia e Veriut, e cila është rritur për 4 pikë për dallim nga viti i kaluar. Kosova është e dyta me tri pikë të ngritura.