Video

KQZ certifikon rezultatin zgjedhor, pritet formimi i institucioneve

Pak pa u mbushur një muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare.

Deri te certifikimi erdhi pasi Vehbi Imeri, kandidat për deputet nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, hoqi dorë nga e drejta për t’u ankuar ndaj vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme, raporton KTV.

Sipas kryetares së KQZ-së, Valedete Daka, vendimi për certifikim të rezultateve ishte unanim, derisa ka kërkuar mirëkuptimin për vonesat eventuale.

Zyrtarisht, koalicioni PAN, me 245,627 vota, ka marrë 33.74 % të votave, dhe do të ketë 39 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje, me 200,135 vota, ka marrë 27.49 të votave, duke marrë 32 nga 120 vendet e parlamentit të Kosovës.

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa, kanë marrë 185,884 vota, ose 25.53 % dhe do të ketë 29 deputetë.

Lista Serbe, me 44 mijë vota ka marrë 6.11 % të votave , për çka do të ketë 9 deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Albin Kurti ka dalë më i votuari nga këto zgjedhje, me gjithsej 143,621 vota, i dyti Kadri Veseli me 129,947 dhe Avdullah Hoti me 115,693.

Kryetarja Daka, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se aktualisht kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është tërhequr nga posti i deputetit me synimin për të mbetur në postin aktual, derisa dy kryetarë të tjerë komunash, Mimoza Kusari-Lila e Rasim Selmanaj, do të mbajnë postet e fituara si deputetë.