Video

Protestë kundër “Ballkanit të hapur” në Tiranë

Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër themeluesve të nismës “Ballkani i hapur” i ka paraprirë takimit të radhës që mbahet për dy ditë në Tiranë.

Ndër kërkesat kryesore të folësve ka qenë njohja e Kosovës nga Serbia, para se shtetet e Ballkanit të bashkëpunojnë mes vete.

Berisha ka thënë se do t’i hedhin poshtë të gjitha marrëveshjet sapo Partia Demokratike të jetë në pushtet.

“Si udhëheqës i ‘Ballkanit të hapur’, si udhëheqës i aleancës trilaterale Tiranë-Shkup-Begorad, si i tillë nuk do të jesh kurrë i mirëpritur në Tiranë, sepse nordi ynë është Moska, sepse prapa nismës tënde qëndron ideja e serbomanisë, qëndron përpjekja për të shndërruar këtë zonë në zonë influence të Putinit. Sot Serbia e Vuçiqit edhe më shumë se ajo e Milosheviqit është shndërruar në Rusinë e vogël, në të vërtetë Rusia e Vogël është rrezik për paqen, stabilitetin Ballkanit dhe Evropës”, ka thënë Berisha.

Pasi u shpall “non grata” nga SHBA-ja dhe u përjashtua nga grupi parlamentare, Berisha është duke zhvilluar një betejë të brendshme për largimin e Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike.

Ndërkaq ish-presidenti Bujar Nishani ka thënë se është patriotizëm t’i dilet krah Kosovës kundër hegjemonisë së Serbisë.

“Pranisë fizike i bashkohen qindra mijëra patriotë shqiptarë kudo në botë, juve sonte ju ka bashkuar një mision i madh, por edhe fisnik, i vështirë, por i thjeshtë për ta marrë përsipër, dalja zot e fatit tuaj, të familjeve tuaja, ju sonte në këtë shesh dhe në këtë betejë që po nisni ju ka bashkua misioni për të luftuar hajninë dhe tradhtinë bashkë, një qeverisje e mbrapshtë nuk ka punuar asnjë minutë për ju, por për xhepin e saj”, ka pohuar Nishani.

Në mesin e folësve të shumtë ka qenë edhe ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila ka thënë se “Ballkani i hapur” është thikë pas shpine për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.

“Sot ne këtu dhe gjithnjë do ta kundërshtojmë me gjithë fuqinë tonë dhe fuqia jonë nuk është e vogël, është e madhe. Do ta kundërshtojmë në vazhdimësi këtë pakt për "Ballkanin e hapur", për atë që do të thotë Jugosllavi e re. Kjo nuk do të ndodhë. Vuçiqi, a dini ju që ai është ndër kritikuesit më të mëdhenj të Milosheviçit?! Jo për shkak të gjenocidit ndaj shqiptarëve, por sepse nuk i shfarosi ata deri në fund dhe nuk i hodhi në det”, u shpreh Tërmkolli.

Protestuesit kanë djegur edhe flamurin e Serbisë, me të cilin ishin stolisur rrugët e Tiranës të hënën.

Për të shmangur përplasjen eventuale, organizatorët e kanë përshtatur edhe agjendën. Ndryshe nga takimet e shkuara, për arsye sigurie, udhëheqësit e tri vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet siç ka ndodhur në Beograd e Shkup.

Në ditën e parë nikoqiri Edi Rama ka organizuar vetëm darkën për presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Ndërkaq të martën planifikohet nënshkrimi i marrëveshjeve dhe i memorandumeve.

Përveç delegacioneve nga tri shtetet, pjesë e takimit do të jetë edhe eurokomisioneri për Zgjerimit dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. Ndër marrëveshjet që pritet të nënshkruhen është ajo për kushtet që mundësojnë qasje të lirë në tregun e punës, marrëveshja për identifikim elektronik të qytetarëve dhe marrëveshja për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, si dhe e sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor.