Video

Kritikohet shpallja e rezultateve për Hanin e Elezit pa vendim të Supremes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për kryetar të komunave. Në mesin e tyre edhe për Komunën e Hanit të Elezit, edhe pse procesi zgjedhor për këtë komunë është i kontestuar në Gjykatën Supreme. Vendimi i KQZ-së është kritikuar edhe nga shoqëria civile

Edhe pse rezultati i zgjedhjeve për Komunën e Hanit të Elezit është i kontestuar në Gjykatën Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare për këtë komunë. Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi këtë vendim nën arsyetimin se duhet të pritet vendimi i Supremes.

“Bazuar në vendimin e PZAP-së ka kohë që palët të ankohen në Supreme. Mendoj se nuk duhet ta shpallim rezultatin”, deklaroi Alim Rama, anëtar i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Me Ramën nuk u pajtua Arianit Elshani, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, sipas të cilit ka pasur ngutje për shpallje të rezultateve përfundimtare.

“Lidhur me Hanin e Elezit kemi kërkuar që të gjitha të futen në pako, nuk e di pse të mbahet kjo mbledhje, ndoshta kemi mundur të prisnim ende për t’i shpallur rezultatet. Më duket tendencioze që kjo komunë të ndalet nga shpallja e rezultateve, ku ndoshta në orën tre do t’i shpallim të gjitha. Mendoj që vendimi paraprak i Supremes edhe PZAP-së tashmë ka betonuar këtë çështje dhe dyshimet kanë qenë të pabaza, prandaj mendoj që rezultatet për Han të Elezit duhet të shpallen”, u shpreh Elashani.

E kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se shpallja e rezultateve nuk e pengon procesin. Sipas tij, KQZ ka pranuar shkresa nga Gjykata Supreme e Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. “PZAP na ka dërgu një shkresë që të mos shpallen rezultatet, meqë ka ankesa. Nga Supremja kemi një shkresë ku thuhet se nuk mund të certifikohet rezultati për Han të Elezit. Unë mendoj që mund ta bëjmë shpalljen, por nëse nuk doni me e shpallë ua lë juve”, deklaroi i pari i KQZ-së.

Në votim, ku nuk morën pjesë dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për Komunën e Hanit të Elezit. Këtë vendim e kanë kritikuar edhe nga shoqëria civile. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nuk do të duhej të paragjykohej epilogu i ankesave të mundshme në institucionet kompetente.

“Kësisoj, vendimi për shpalljen e rezultateve për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, pa u përmbyllur afati 24-orësh për ankimim, përveçse precedent i gabuar, e cenon parimin e sigurisë juridike të kandidatëve”, u shpreh Cakolli.

Koha për ankesa në Gjykatën Supreme ka përfunduar mesditën e së enjtes. Pas afatit për ankesa, Supremja brenda 72 orësh duhet të dalë me një vendim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare për 38 komuna. 21 prej tyre shkojnë në balotazh e në 17 prej tyre janë shpallur fituesit e 17 tetorit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet më 14 nëntor.