Video

Derisa talebanët marrin pushtetin, Kosova ofron strehë për refugjatët afganë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i ka dyert të hapura për refugjatët afganë, të cilët po largohen nga vendi në kaos. Osmani ka thënë se Kosova do ta ketë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vlerësimin e sigurisë gjatë qëndrimit të përkohshëm të shtetasve afganë derisa t’u rregullohet dokumentacioni për SHBA.

Për pranimin e afganëve refugjatë në Kosovë, Qeveria Kurti thotë se janë në komunikim me autoritetet shtetërore dhe ushtarake amerikane që nga mesi i korrikut.

Shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ka thënë për KOHËN se ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që janë duke i trajtuar.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se ditët e fundit, Qeveria amerikane i ka kërkuar Shqipërisë që të shërbejë si vend transit për emigrantët politikë afganë. Ai tha se Qeveria shqiptare do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës amerikane.

Kërkesat e Shteteve të Bashkuara kanë ardhur në kohën kur talebanët po e marrin kontrollin e plotë të vendit.

Presidenti afgan Ashraf Gani është arratisur nga vendi të dielën, derisa talebanët po marrin kontrollin e kryeqytetit Kabul. Ai dhe bashkatdhetarët e tij po largohen nga Afganistani, duke sinjalizuar fundin e eksperimentit perëndimor të 20 vjetëve të kaluar për ta ndryshuar gjendjen në vend.

Dy zyrtarë të lartë kanë thënë për agjencinë amerikane të lajmeve AP se Gani është larguar nga Afganistani. Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i Këshillit Afgan për Pajtim Kombëtar. Ndërkohë, kryengritësit talebanë kanë hyrë në kryeqytetin afgan Kabul dhe brenda pak ditësh pritet të marrin pushtetin në mbarë vendin. Ata kanë premtuar se do të modernizojnë sundimin islamik krahasuar me versionin e dikurshëm të ashpër.

Ndërkohë, shumë diplomatë të huaj dhe qytetarë vendas kanë nisur të largohen nga Afganistani, pothuajse 20 vjet pas rrëzimit të talebanëve nga pushteti pas ndërhyrjes ushtarake amerikane. Një zyrtar i lartë afgan i Ministrisë së Brendshme ka thënë se talebanët po futen prej të gjitha anëve në kryeqytet.

Megjithatë, nuk ka pasur raportime për luftime ndërmjet kryengritësve dhe forcave afgane të sigurisë. Grupi militant po bisedon me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi për dorëzim paqësor të pushtetit.