Video

Në Srebrenicë varrosen mbetjet mortore të 19 viktimave të porsaidentifikuara

Mijëra qytetarë janë mbledhur në Bosnjë për ta përkujtuar masakrën e vitit 1995 në Srebrenicë, e njohur si gjenocidi i vetëm në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. Në 26-vjetorin e masakrës janë varrosur mbetjet mortore të 19 viktimave të identifikuar së fundmi.

26 vjet pas vrasjes brutale, 16 burra, dy tinejxherë dhe një grua janë varrosur në varrezat që ndodhen në hyrje të qytezës, duke iu bashkuar më shumë se 6.600 viktimave të tjera të varrosura aty.

Viktimave të porsaidentifikuara u organizohen ceremoni të dinjitetshme çdo 11 korrik – dita kur nisi vrasja masive më 1995.

“Nuk mund të fle shumë. Sa të zgjohem dhe pi kafenë, vij te varret e burrit dhe kunatit që të lutem. Edhe xhaxhallarët e mi dhe të burrit janë të varrosur këtu. U luta për ta dhe për të gjitha viktimat e Srebrenicës dhe të luftës në Bosnjë-Hercegovinë”, ka thënë Kadefa Rizvanoviq, e mbijetuar e masakrës së Srebrenicës

Shumica e viktimave ishin mbledhur dhe ekzekutuar bashkërisht derisa mundoheshin të arratiseshin në pyllin e afërt pas rrethimit Srebrenicës në korrikun e vitit 1995 nga forcat serbe në ditët e fundit të luftës që zgjati tre vjet.

Trupat e tyre u hodhën në varreza masive dhe pastaj u nxorën me buldozerë dhe u shpërndanë në zona të ndryshme për t’u fshehur dëshmitë e krimit.

“Kur ra Srebrenica, nipi u mundua të arratisej në pyll me vëllain e tij dhe me burrin tim. Kurrë më nuk u kthyen. E varrosëm burrin tim dhe atë, Esnafin. Do ta varrosim nipin, por ende nuk i kemi gjetur eshtrat e vëllait të tij, Almirin. Dy motrat e tyre mbijetuan, janë këtu. Nuk e kanë askënd tjetër. Është shumë e vështirë, tepër e vështirë”, ka thënë Rahima Haliloviq, halla e njërit prej viktimave të varrosur të dielën.

Vrasjet në Srebrenicë ishin kulmi i përplasjes së përgjakshme të përshkallëzuar në luftën ndërmjet tri fraksioneve të mëdha etnike – serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve – gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Më shumë se 100 mijë persona u vranë në konflikt para arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit më 1995.

Kuvendi i Kosovës ka aprovuar së fundmi rezolutën me të cilën e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.