Video

Ministri Vitia e pranon se 12 mijë vaksina kanë afat deri në fund të korrikut

Një prej arsyeve të përmendura nga Vitia ka qenë që t’i sigurojë qytetarët se këto vaksina janë të sigurta. Ka pranuar që një pjesë e tyre kanë afat deri më 31 korrik dhe pjesa tjetër deri më 31 gusht

Për t’i larguar dilemat e ngritura kohëve të fundit për vaksinat “AstraZeneca” ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të enjten është imunizuar me dozën e parë, një ditë pasi e kishte theksuar se ajo është e sigurt.

Vitia, në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, ka ritheksuar se në Kosovë nuk ka vaksina të pasigurta.

Megjithatë, këtu për herë të parë e ka pranuar që një grup i tyre, saktësisht 12 mijë doza kanë afat deri në fund të muajit korrik.

“Edhe sot vaksinimin që e bëra unë e bëra me vaksinën ‘AstraZeneca’ që e ka afatin më të shkurtër, e cila ka ardhur nga Mbretëria e Norvegjisë dhe ky afat i skadimit është më 31 korrik. Janë 12 mijë vaksina të tilla që do të shpenzohen shumë shpejt, dhe pjesa tjetër deri më 31 gusht”, ka theksuar Vitia.

I pyetur nga gazetarët, Vitia njëkohësisht ka bërë të ditur se rishikimi i masave është shtyrë, shkaku i variantit Delta.

“Sa i përket rishikimit të masave, natyrisht është shtyrë për pak kohë për të biseduar me ekspertët, për shkak të paraqitjes së variantit Delta, dhe ky është një shqetësim i yni”, ka deklaruar ministri Vitia.

Gjatë të enjtes, krahas ministrit Vitia, me dozë të “AstraZenecas” është vaksinuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja Nagavci njëkohësisht ka bërë thirrje që të mos ketë hezitim për ta marrë vaksinën e prodhuesit “AstraZeneca”.

“Pashë që disa qytetarë shprehnin shqetësim në lidhje me vaksinën ‘AstraZeneca’ kundër Covid-19. Unë u vaksinova me dozën e parë të kësaj vaksine, aplikova online si gjithë të tjerët, ndoqa procedurat dhe udhëzimet, si dhe mora vaksinën që ofrohej e që është e aprovuar nga OBSH-ja”, ka thënë Nagavci përmes një postimi në Facebook. Edhe infektologu Arben Vishaj ka thënë se qytetarët duhet të ndihen të sigurt që t’i marrin dy llojet e vaksinave.

“Vaksinat që i posedon Kosova janë vaksina të aprovuara nga institucionet më prestigjioze evropiane dhe ndërkombëtare me kualitet të lartë dhe mos të hezitojnë që ta marrin sa më parë që të jetë e mundshme”, ka deklaruar Vishaj.

Sipas një studimi nga Instituti i Shëndetit Publik të Anglisë (PHE), del që vaksinat “Pfizer dhe “AstraZenieka” kanë efekt pozitiv për mbi 90 për qind ndaj variantit Delta.

Ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e kanë cilësuar të sigurt vaksinën “AstraZeneca”, studime tjera si ai nga EMA, e kanë lënë të hapur mundësinë të ketë raste të efekteve anësore, siç është mpiksja e gjakut.

Sipas tyre, shumica e rasteve të raportuara kanë qenë gra nën moshën 60-vjeçare.

Kjo ka bërë që shumë shtete ta ndalojnë vaksinën “Astra Zeneca” për personat nën 55 vjeç.

Ndërkohë edhe pse është paralajmëruar se nga 15 qershori, sipas planit shtetëror, çdo ditë do të vaksinohen rreth 15 mijë qytetarë, në dy ditët e fundit ky numër ka rënë dukshëm.

Sipas raportit të MSH-së, në 24 orët e fundit janë vaksinuar vetëm 5 mijë e 271 persona.