Video

PDK-ja refuzon ftesën e Kurtit, kërkon sqarime për “çështjet madhore”

Partia Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për takim gjatë javës së ardhshme. Në përgjigjen e tij karshi ftesës, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar sqarime nga kreu i Qeverisë lidhur me referimin e bërë për “çështjet madhore”. Takimit me Kurtin pozitivisht i janë përgjigjur, ndërkaq LDK-ja e AAK-ja. Detaje lidhur me takimet e paralajmëruara për javën e ardhshme nuk kanë dhënë nga Qeveria e Kosovës.

Konsultat e paralajmëruara me partitë në opozitë, për siç është thënë çështje të interesit nacional, kryeministri Albin Kurti do të duhet t’i bëjë pa partinë më të madhe opozitare.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka refuzuar ftesën e Kurtit për takim gjatë javës së ardhshme.

Në përgjigjen e tij, Hoxhaj kërkon nga kreu i ekzekutivit që të jetë më konkret në kërkesat e tij.

“Këto janë përgjegjësi të qeverisë dhe nuk janë tema të cilat duhet t’i diskutoni në takime të mbyllura me liderët e partive opozitare. Ndërsa, nëse përmes formulimit “çështje madhore” i jeni referuar ndonjë teme tjetër të rëndësishme, atëherë unë ju ftoj që të jeni më konkret dhe më transparent, në mënyrë që edhe qytetarët e vendit të jenë të mirinformuar. Ju duhet t'i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo ‘çështje madhore’, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Hoxhajt.

Konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e paralajmëruar për javën e ardhshme e kanë bërë Lidhja Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Derisa nga LDK-ja nuk kanë dhënë detaje për qëndrimet që mund të shpalosin në takimin me kryeministrin Albin Kurti, AAK-ja është shprehur e gatshme për bashkëpunim me Qeverinë në çështjet si dialogu me Serbinë.

“Për temat nacionale ne do të jemi gjithë bashkë se është interesi i Kosovës dhe duhet bëhet praktikë e zakonshme që për interes të Kosovës në raport me Serbinë duhet të jemi gjithë unikë”, ka thënë Ahmet Isufi, nënkryetar i partisë.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë dhënë detaje lidhur me ditën kur planifikohet të mbahen takimet.

“Kryeministri që nga fillimi ka thënë se për çështje me interes nacional do të takohet dhe do të kërkojë bashkëpunim me partitë opozitare dhe ashtu po vepron. Javëve të fundit, ai ka vizituar Brukselin dy herë dhe ka realizuar takime të ndryshme në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me BE-në dhe Belgjikën. Takimet e parapara me liderët e partive opozitare do të jenë në shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit me ta në lidhje me çështje me interes nacional, duke përfshirë këtu edhe dialogun”, është shprehur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Takimet me opozitën i paraprijnë vazhdimit të dialogut me Serbinë. Përkundër se ende nuk ka ndonjë datë të caktuar, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen gjatë muajit qershor.