Video

Në Prishtinë u protestua për më shumë barazi gjinore dhe kundër shkeljeve në shoqëri

Ngritja e zërit kundër pabarazisë gjinore e shtypjes si dhe kundër rasteve kur dhuna ndaj grave në Kosovë kaloi pa u ndëshkuar, edhe këtë vit mblodhi aktivistë që gjatë së dielës marshuan drejt qendrës së kryeqytetit.

Me sloganin kryesor “Marshojmë s’festojmë’’, u bë thirrje, në emër të drejtësisë, kundër ngacmimit e abuzimit ndaj grave në vend të punës, duke kundërshtuar kështu çdo lloj padrejtësie të ushtruar, raporton KOHA.

Marshit iu bashkua edhe kryeministri Albin Kurti si dhe e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa u përkrah edhe nga qytetarë të shumtë në numër.

Marshe të këtilla, sipas organizatoreve, janë të domosdoshme duke marrë parasysh pengesat që, sipas tyre, duhet të tejkalohen, duke u nisur nga presioni i vazhdueshëm në vendet e punës, ku shpesh edhe bien pre e ngacmimeve seksuale.

Tubimi që filloi nga sheshi “Zahir Pajaziti’’ e mbaroi te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, u shoqërua edhe nga njësite të policisë, ndërsa një organizim i tillë u mbajt edhe në qytetin e Mitrovicës. Në mesin e protestuesve pati edhe përfaqësues të institucioneve e ambasadave të akredituara në Prishtinë.