Video

MPJ-ja ende në shqyrtim të veprimeve rreth (mos) njohjes nga Xhamajka

Akuza ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme ka hedhur Partia Demokratike e Kosovës, lidhur me rastin e njohjes së pretenduar nga Xhamajka.

Ndonëse, njoftimin për një gjë të tillë, fillimisht e ka bërë i pari i shtetit, Hashim Thaçi, zyrtarë të PDK-së, përgjegjës për skandalin e kanë bërë ministrin Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, nga Ministria e Punëve të Jashtme, kanë ripërsëritur se për çështjen në fjalë do të ndërmerren masa. Në një përgjigjeje me shkrim nga kjo ministri, nuk bëhet e ditur se për çfarë masash bëhet fjalë, raporton KTV.

“Siç ka deklaruar nëpërmjet komunikimit publik, ministri Konjufca do të ndërmarrë veprime konform kompetencave të tij në lidhje me situatën e krijuar me raportet e Republikës sonë me shtetin e Xhamajkës. Ne ende jemi në kontakt me Ambasadën tonë në SHBA për ta sqaruar situatën dhe sapo të kuptohet e vërteta, veprimet e ministrit do të jenë në përputhje me praktikat e zakonshme të diplomacisë. Në çfarëdo veprimi eventual, mendoj që e rëndësishme është vendosja e praktikës së thirrjes para përgjegjësisë së secilit për punën dhe veprimet e ndërmarra, gjë që nuk mund të themi se ka ekzistuar deri më sot”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ka komentuar akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës. Megjithatë nga MPJ, thonë se janë duke punuar në kthimin e rendit në Shërbimin e Jashtëm, e për të cilën thonë se nga pozita e kaluar e kanë pranuar në gjendje shumë të rëndë.

“Qeverisja jonë është duke u angazhuar për ta kthyer ligjshmërinë dhe rendin në Shërbimin e Jashtëm të Republikës sonë, të cilën nga pozita e kaluar e opozita aktuale, e pranuam në një gjendje shumë të rëndë. Në linjë me këtë, mund të them se përgjegjësitë për këto raste i parasheh baza ligjore dhe në përputhje me të do t'i ndërmarrim veprimet tona”, thotë MPJ.

Ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi, në një postim në Twitter deklaroi se ka marrë njoftim nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, se Xhamajka ka njohur Kosovën si shtet.

Ky njoftim u përshëndet nga të gjithë krerët e institucioneve, përfshirë edhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Megjithatë, orë më vonë vetë ministrja e Jashtme e Xhamajkës mohoi se vendi i saj e ka njohur Kosovën shtet.