Video

Liderët e Kosovës kujtojnë viktimat e Auschwitzit, kujtohet ndihma shqiptare për hebrenjtë

Në 75-vjetorin e çlirimit të kampit famëkeq të Auschwitzit krerët më të lartë të shtetit kanë përkujtuar tragjedinë e Holokaustit.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, gjatë ditës ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore për hebrenjtë, derisa ka thënë se fatkeqësisht edhe Kosova ka përjetuar një tragjedi të tillë, raporton KTV.

Këtë përvjetor e ka kujtuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili përmes një shkrimi në Facebook ka përmendur edhe krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

“Pas Luftës së Dytë Botërore u mendua se vuajtjet e miliona njerëzve të vrarë mizorisht do ta shndërronin Holokaustin në një krim të papërsëritshëm për njerëzimin. Por ideja dhe përpjekjet për shfarosjen e njerëzve dhe etnive u vazhduan edhe nga regjimi i Serbisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Masakrat dhe spastrimi etnik u ngjanin atyre të Luftës së Dytë Botërore. Dhe, fatkeqësisht, Serbia edhe sot vazhdon t’i mohojë krimet që shkaktuan Holokaustin ballkanik në këtë pjesë të Evropës”, ka shkruar Thaçi.

Ndërsa mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka kujtuar ndihmën që shqiptarët dhanë për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ne shqiptarët e dimë, fatkeqësisht, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë, që mund të përndiqet, dhunohet, shkatërrohet, zhduket, me urdhër nga pushtete e shtete të cilat vrasin një popull në emër të një populli. Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja”, shkroi Kurti.

Më 27 janar 1945, forcat sovjetike çliruan Auschwitzin, duke shpëtuar rreth 7 mijë të burgosur që mbijetuan.

Por llogaritet se rreth 1.1 milionë njerëz, shumica hebrenj, u vranë e u dogjën në këtë kamp nga nazistët mes viteve 1940-1945.