Video

Në ditën e fundit të ultimatumit të Mustafës për VV-në, Haziri kërkon durim

Zyrtarisht asnjë takim nuk është zhvilluar as këtë të diele ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

E diela, ka qenë dita e fundit e ultimatumit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, për arritjen e mundshme të marrëveshjes, raporton KTV.

Megjithatë, burimet i kanë thënë “Kohës Ditore” se qëndrimet mes dy subjekteve janë përafruar.

Për shumicën prej Grupit parlamentar të LDK-së, madje edhe për nënkryetarin Lutfi Hazirin, është i pranueshëm propozimi që e ka dhënë Vjosa Osmani në njërën prej mbledhjeve të mëhershme, që posti i kryeparlamentarit të kompensohet me njërën prej ministrive të rëndësishme, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në diskutimet e fundit, Osmani nuk ka shprehur gatishmëri të vendoset në krye të Kuvendit, pasi Konjufca është zgjedhur edhe me votat e LDK-së.

E burime brenda këtyre zhvillimeve kanë thënë se edhe Vetëvendosje është pajtuar që MPJ-ja t’i takojë LDK-së.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për durim, pasi ka thënë se konsultimet e brendshme mundësojnë që të eliminohet çdolloj pengese dhe çdolloj bombe e kurdisur e mandatit 4+.

“E kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj Republike përmes LDK-së dhe vetëm përmes LDK-së. Partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë. Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në Republikë”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Afati kushtetues prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë me Kurtin mandatar, përfundon në javën e parë të shkurtit.