Video

Bideni, i befasuar me tërheqjen nga gara të kundër-kandidates Harris

I shokuar është parë Joe Biden, pas tërheqjes nga gara presidenciale të kundër- kandidates së tij nga Partia Demokratike.

Kamala Harris u tërhoq nga gara, për siç tha, mungesë të mjaftueshme të fondeve për të vazhduar tutje, raporton KTV.

“Reagimi im është se ajo ishte kandidate e shkëlqyer e kategorisë së parë dhe ishte kundër-kandidate e fuqishme për mua. Kam emocione të përziera, sepse ajo është një person solid dhe e mbushur me talent. Jam i sigurt se ajo nuk po largohet pse nuk dëshiron t’i bëjë ndryshimet, për të cilat ka folur dhe ka qenë e angazhuar”, ka thënë Bideni.

Harris është konsideruar si një nga 4 kandidatët kryesorë për të fituar nominimin e demokratëve për postin e presidentit në zgjedhjet e vitit 2020.

Fushata e senatores nga Kalifornia ishte shumë shpresëdhënëse kur nisi në muajin janar, por dështoi të forcohej në një garë të ashpër brenda Partisë Demokratike.

Situata nisi të përkeqësohej në muajin nëntor, kur shkaku i mungesës së fondeve, stafi i saj ndaloi punën në Baltimore, New Hampshire dhe në shtetin e saj të lindjes.

55-vjeçarja, një kritike e madhe e presidentit Donald Trump, shihej si një yll në rritje brenda partisë, por nuk mund të fuqizonte pozitën e saj mes kandidatëve Joe Biden, Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.

Pas tërheqjes ka pasur një tjetër përplasje me Trumpin, i cili në Twitter shkroi se ajo do t’i mungojë dhe tërheqja e saj ishte lajm i keq.

“Shihemi në gjykimin tënd”, ia ktheu përgjigjen Harris presidentit amerikan.

Ajo, gjithashtu, u ngrit në sondazhe kur në një debat në muajin qershor, ashpër e kritikoi Bidenin sa i përket çështjeve racore.

E në ditët e fundit, kishte pasur një seri takimesh me stafin e saj, për t’i informuar për vendimin e tërheqjes nga gara.

“Fushata ime nuk ka burime të mjaftueshme financiare për të vazhduar. Nuk jam miliardere dhe nuk mund ta financoj e vetme këtë fushatë. Teksa gara po ngushtohet, është bërë edhe më e vështirë për të fituar para të nevojshme”, ka shkruar Harris në arsyetimin e saj para stafit.

Ani pse u dorëzua herët, Harrisi konsiderohet si kandidate e mirë për pozitën e zëvendës-presidentes së SHBA-së në rast se kandidati tjetër Joe Biden i fiton zgjedhjet e vitit 2020.

Bideni është pyetur nëse do t’ia ofronte këtë pozitë Harrisit po qe se i fiton zgjedhjet, por ai nuk është përgjigjur.