Video

Abelard Tahiri thotë se ai vendos për noterët, Kurti kërkon përgjegjësi

Me pretendimet se qeveria në largim po tenton t’ia vështirësojë punën asaj në ardhje, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, këtë të shtunë ka bërë një paralajmërim për ta.

Pas 6 tetorit, sipas Kurtit, qeveria në largim është karakterizuar me keqpërdorime, duke shfrytëzuar kështu vakumin institucional, raporton KTV.

Kurti ka përmendur bartjen e ministrive në objekte private, emërime të paligjshme në misione diplomatike dhe procesin për emërimin e noterëve, sipas tij, të dyshimtë e të korruptuar.

“Qeveria në ikje posaçërisht, duhet të jetë e përmbajtur kur bëhet fjalë për emërime të ndjeshme si ato në Noteri, Gjyqësi, Diplomaci, Siguri publike apo AKI. Këto vendime i takojnë kryekëput qeverisë së re, pasi të ketë përfunduar skanimi i gjendjes ekzistuese dhe identifikimi i pengesave në operimin e suksesshëm të secilës prej tyre”, ka thënë Kurti mes tjerash.

Kjo pikë e ka nxitur reagimin e ministrit në largim të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili dy ditët e fundit, i ka kushtuar Kurtit dy postime në rrjete sociale.

Këtë herë, duke quajtur ‘mediokër’, sipas Tahirit, Kurtit i mungojnë njohuritë themelore të qeverisjes.

Në fund të postimit të tij, Tahiri ka bërë edhe një paralajmërim: “Çështjen e noterëve Albin, nuk do ta lë në dorën tënde, për të të kursyer nga mundimi”, ka shkruar ai.

Reagimi i Tahirit është pasuar me një tjetër të tillë nga zyrtarë të Vetëvendosje, këtë herë nga Albulena Haxhiu.

“Është po i njëjti që procesin e rekrutimit të noterëve të rinj, e komprometoi dhe e ktheu në shërbim të partisë së tij që ka kapur secilin segment. Prandaj duhet të ndërpritet secili veprim i këtij procesi dhe çfarëdo veprimi tutje për këtë proces. Është keqpërdorim detyre, është vepër penale”, ka shkruar Haxhiu.