Video

BQK-ja e arsyeton rritjen e çmimit të sigurimeve, lë të hapur mundësinë e rishikimit

Saktësisht 20 ditë pasi njoftuan për rishikimin e çmimeve për sigurimin e automjeteve, drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës, dolën para gazetarëve për të folur për këtë temë.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ka theksuar se rishikimi i çmimeve që kanë mbetur nga viti 2001 do të duhej të bëhej çdo vit dhe se këtë vit është bërë për t’i shmangur shkeljet ligjore, raporton KTV.

Por, ai nuk ka konsideruar të ketë bërë shkelje ligjore edhe vetë, që mban këtë pozitë nga marsi i vitit 2018, dhe, mes tjerash, tha se rishikimi është bërë për t’i mbrojtur polis-mbajtësit.

Mehmeti ka përmendur sërish të kenë pasur rekomandim nga FMN-ja për këtë, por që është lënë e hapur mundësia e rishikimit të çmimeve.

Zëvendësguvernatori Sokol Havolli, veç tjerash, ka paralajmëruar edhe ndryshime të tjera në industrinë e sigurimeve.

Të pyetur për protestat e paralajmëruara për të premten e të shtunën kundër vendimit të BQK-së, drejtues të këtij institucioni shprehën gatishmërinë që t’ua sqarojnë shkaqet e këtij vendimi protestuesve.

Çmimet për sigurimin e automjeteve u rritën për 26 %, me efekt nga data 15 e këtij muaji.